Fjala e Zv/kryeministrit Gazmend Oketa në Konferencën e FSHZH-së

Në cilësinë e Kryetarit të Bordit Drejtues të FSHZH më lejoni së pari t’ju shpreh mirëseardhjen të gjithë të pranishmeve në këtë konference, kolegëve ministra, përfaqësuesve të institucioneve financiare partnere, përfaqësuesve të pushtetit lokal, organizatave joqeveritare dhe medias. 

Konferenca që organizojmë sot, ka në fokus të saj prezantimin e punës së kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe vlerave që ky institucion ka sjellë e krijuar me eksperiencen e tij 14 vjeçare. Por, ne dëshirojmë njëkohësisht, që ky aktivitet të jetë edhe një forum i hapur për të përcjellë shqetësimet dhe idetë tona mbi sfidat e rëndësishme të zhvillimit lokal në Shqipëri. 

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, mbështetur nga Qeveria Shqiptare dhe Banka Botërore ka krijuar në vite një përvojë të vyer në lidhje me investimet në infrastrukturën lokale, por jo vetëm. Vlen për t’u theksuar roli në rritje i këtij institucioni në mbështetjen e qeverisjes lokale për një cilësi më të mirë planifikimi dhe qeverisje më të mirë, transparencë etj..

Sikurse do të prezantohen në këtë konferencë, gjatë viteve të fundit, janë ngritur në mënyrë të dukshme kapacitetet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si në menaxhimin e brendshëm nëpërmjet rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë në menaxhimin e fondeve dhe cilësisë teknike, ashtu edhe në diversifikimin e metodologjisë së ndërhyrjes. Dëshirojmë këtu të theksojmë përdorimin e mjeteve të tilla: si hartimi i planeve lokale të zhvillimit, përzgjedhja e investimeve bazuar në kritere objektive teknike, ekonomike, sociale, ambientale, pjesëmarrja qytetare në përzgjedhje dhe në zbatim të projekteve, etj.. 

Fondi mbi të gjitha ka përmirësuar filozofinë e tij të ndërhyrjes. Ai tashmë nuk është vetëm një institucion që investon në ndihmë të emergjencave të qeverisjes lokale, por mund të  themi se FSHZH është një institucion që mbështet këta të fundit të ecin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm lokal. 

Ajo që në të vërtetë përbën katalizatorin e këtij ndryshimi është mbi të gjitha nevoja për të lënë pas një tranzicion kaotik dhe për të ecur përpara bazuar në plane të qarta dhe mbi kapacitete profesionale e për të krijuar padyshim një dimension të ri të zhvillimit lokal. 

Performanca 14 vjeçare e Fondit në krah të qeverisjes lokale, ka bërë që ky institucion jo vetëm të jetë partneri kryesor i tyre, por i ka dhënë këtij institucioni edhe besimin e qeverisë shqiptare dhe partnerëve të huaj. Si kryetar i bordit drejtues kam kënaqësinë e madhe t’ju bëj me dije se ky besim është kurorëzuar së fundmi me kalimin nën administrimin e tij të projektit ambicioz të financuar nga Banka Botërore: “Përmirësimi i menaxhimit dhe kushteve të rrugëve dytësore dhe lokale”. Një falënderim me këtë rast i shkon të gjithë donatorëve që e kanë mbështetur këtë institucion, Bankës Botërore, KfW-se, Bankës Evropiane për Zhvillim, Komuniteti Evropian, Kooperacioni Italian e shumë partnerë të tjerë financiarë. Ne shprehim bindjen se kjo mbështetje do të vazhdojë veçanërisht për institucionet që kanë një performancë të qëndrueshme dhe që ndikojnë në zhvillimin e vendit. 

Shpreh besimin tim se kjo konferencë do të çojë edhe më përpara pikësynimet e Fondit për një përqasje edhe më efikase në realitetet social-ekonomike që ndryshojnë dita-ditës, ashtu siç besoj së Fondi i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për ta bërë këtë.

 

I uroj punë të mbarë Konferencës dhe punë të mbarë Fondit Shqiptar të Zhvillimit në të gjitha projektet sfiduese në të ardhmen.