Të nderuar pjesëmarrës, të nderuar zonja dhe zotërinj të medias.
Si Zëvendëskryeministër i qeverisë shqiptare, por edhe ne pozicionin e kryetarit të bordit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, kam kënaqësinë t’iu bëj me dije fillimin e projektit “Përmirësimi i menaxhimit dhe kushteve të rrugëve dytësore dhe lokale”. Ky është një projekt ambicioz i qeverisë shqiptare i mbështetur nga Banka Botërore dhe që do të realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kostoja e këtij programi parashikohet të jetë rreth 400 milion USD dhe në terma të investimeve të drejtpërdrejta mendohet të asfaltojë rreth 1500 km rrugë.
Qeveria Shqiptare e ka shprehur që në programin e saj infrastrukturën e zonave rurale si një nxitës së zhvillimit të këtyre zonave. Me anë të këtij projekti qeveria do të synojë të rrisë përpjekjet konkrete për përmirësimin e infrastrukturës në vend si edhe për shtimin e aksesit ndaj shërbimeve themelore dhe tregjeve ekonomike, veçanërisht ne zonat rurale.
Njëkohësisht nëpërmjet këtij projekti do të synohet të rritet roli i qeverisjes vendore dhe veçanërisht i qarqeve, të shtohen kapacitetet e këtyre njësive vendore në kuadër te decentralizimit dhe të sigurohet transparenca e nevojshme për zbatimin e suksesshëm të projektit.
Projekti do të zbatohet nëpërmjet FSHZH-së, një institucion që ka një përvojë të gjatë e të suksesshme në bashkëpunim me njësitë e Qeverisjes Vendore për identifikimin dhe zbatimin e projekteve të infrastrukturës lokale. Projekti do të ketë edhe ekspertizë të konsiderueshme ndërkombëtare që do të bëjë të mundur ndryshimin rrënjësor të standardeve teknike të projektimit e zbatimit.
Ne fund te këtij projekti i cili do te zgjasë 5 vjet, ne jo vetëm që do të kemi një rrjet dytësor dhe komunal të përmirësuar në mënyrë thelbësore, por do të kemi edhe një inventar të përditësuar të të gjitha rrugëve rajonale duke na mundësuar të njohim hollësisht dhe në kohe të shkurtër nevojat për investim dhe mirëmbajtjen e tyre.
Së fundmi, në këtë konference për shtyp do të doja të shprehja mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta për Bankën Botërore dhe stafin e saj teknik, të cilët kanë qenë dhe mbeten partnerë te përhershëm dhe nxitës të zhvillimit në Shqipëri.